Rreth 30 nxënës shqiptarë të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Gjermani, të qyteteve Dortmund dhe Arnsberg, të klasave VI-X, të udhëhequr nga mësuesi i tyre Kemajl Çallaku dhe shoqërues të Këshillit të Prindërve, të mbështetur dhe të koordinuar nga MASHT e Kosovës, gjatë të mërkurës dhe të enjtes vizituan Kërçovën me rrethinë.
Në kuadër të këtij aktiviteti të njohjes së ndërsjelltë, ata vizituan moshatarët e tyre në shkollën fillore të Zajazit, ku u pritën ngrohtësisht. Siç tha mësuesi Kemajl Çallaku:”fjala është për një qëndrim në Atdhe, i cili në thelb ka

Nxënësit shqiptarë nga Gjermania për vizitë në Kërçovë
qëllimin e ndjekjes së disa orëve të rregullta të mësimit me bashkëmoshatarë në shkollat fillore të komunave Kaçanik, Lypjan dhe Zajaz (Maqedoni). Në kuadër të këtij programi ata kishin paraparë edhe këmbimin e vlerave kulturore, vizitën e monumenteve, familjeve të dëshmorëve, vizita institucionesh dhe njohje me trashëgiminë dhe thesarin kulturor natyror e historik të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare”. Pas pritjes së ngrohtë në shkollën fillore të Zajazit me drekë tradicionale kërçovare, gjatë orëve të pasdites nxënësit shqiptarë nga mërgata në Gjermani, vizituan qytetin e Kërçovës nga ku më pas në orët e mbrëmjes prezantuan një program të begatë kulturor artistik së bashku me nikoqirët e tyre nga Zajazi. “Ky është një mision sa fisnik poaq dhe i shenjtë. Shqiptarët gjithnjë në çaste të vështira të krizës identitare, kanë ditur ta gjejnë zjgidhjen për të mbijetuar. Shpresoj se ky karvan bashkues do ta vazhdojë rrugëtimin e nisur dhe ky aktivitet do të zgjerohet edhe më shumë”, tha në fjalimin e rastit kryetari i komunës së Zajazit, Besim Veliu. “Kemi qëllimin e njëjtë, dashurinë e njëjtë, pasionin e njëjtë për Atdheun dhe për këtë, ky karvan nxënësish mërgimtarë është mbështetur edhe nga MASHT e Kosovës”, shtoi në fjalën e tij Nuhi Gashi, koordinues i mësimit shqip për diasporë pranë MASHT të Kosovës. Muzafer Hyseni, kurbetçar nga Kërçova dhe njëkohësisht prind, u shpreh: “Ndjehem i lumtur që pikërisht Kërçova dhe Zajazi është përzgjedhur të bëjë këtë mikpritje. Në mesin e më shumë meritave, dy janë thelbësore për t’u theksuar. E para sepse Zajazi gjatë historisë ka qenë çerdhe e Ballit Kombëtar dhe e dyta ngase kjo është vendlindja e Ali Ahmetit, ish udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”. “Në pushimet familjare dhe vizitën që ia bëjmë Atdheut, nuk them se nuk kënaqemi, por kjo ndjenjë përjetohet në mënyrë të veçantë. Ajo dëshmon se mes nesh nuk ka kufi”, thotë nxënësja mërgimtare Lirije Rrustolli. Këngtarja Besiana Mehmedi mes tjerash do të potencojë se”kjo paraqitje do të mbahet mend gjatë, sepse në vendin e origjinës sime ngrihet në këmbë salla, me të cilën dëshmuam se tanimë jemi mësuar të çmojmë vlerat dhe figurat tona. Shpresoj se ky bashkëpunim nuk do të ndalet ngase kjo është forma e vetme për t’i mbajtur dhe për t’i rritur fëmijët tanë si shqiptarë edhe në mërgim e kudoqofshim”. Befasia e manifestimit ishte programi artistik, i cili u shfaq me këtë rast, ku nxënësit shqiptarë të Dortmundit dhanë leksion të vërtetë se si duhet ruajtur me xhelozi vlerat e thesarit të vendlindjes, ku mes tjerash u dëshmua talenti i valltareve me motive të zgjedhura dhe telentja mërgimtare Mirushe Hyseni, nxënëse e shkollës shqipe në Dortmund. Enkas për mysafirët program shfaqën edhe nxënësit e shkollës fillore të Zajazit, ku spikati Vallja e Nuses, e cila ngërtheu vlerën e veçantë të traditës kërçovare si dhe shkrimtari Arif Demolli dhe sopranoja Besiana Mehmedi. Ndryshe, Shkolla Shqipe në Gjermani është binjakëzuar me shkollën e Zajazit dhe kompetentët u zotuan se këtë do ta ruajnë me xhelozi. Vlen të theksohet se grupi i nxënësve mërgimtarë gjatë natës ishte mysafir nëpër familjet e moshatarëve të tyre të Zajazit, ku u prit ngrohtësisht nga prindërit dhe familjet e tyre. Gjatë ditës së enjte karvani i nxënësve mërgimtarë u prit edhe në komunën e Zajazit, ku iu organizua një pritje vëllazërore nga të punësuarit e kësaj komune. Të shpresojmë se kjo nismë nuk do të jetë ë fundit dhe kjo të jetë nxitje që këso karvanesh të vetënjohjes dhe bashkimit të shfaqen sa më shpesh. /Adem Xheladini/