Besa Krasniqi: Ylli I Kosovës në Suedi!

 

Besa Krasniqi

Besa Krasniqi

Besa Krasniqi ka lindur me 5 Mars 1993, në Gränna, Suedi dhe tani ndodhet në Nässjö (Suedi) bashkë me familjen e saj. Zbulimi i pasionit pas muzikës është bërë që në hapat e saj të parë të fëmijërisë, në moshën tre vjeçare; më pas duke marrë pjesë në festivale dhe konkurse të kategorisë për fëmijë. Astrit Gashi shkruan në gazetën “Zëri Yt” se suksesi i këngëtares nis me fitime në festivalet muzikore për talentë të rinj të mbajtuara në Karlskrona (Suedi), ku Besa del me çmim të parë.

 

 

“Besa apo siç e quajnë mediat suedeze “Kosova stjärna” (Ylli i Kosovës)
pushton mediat dhe TV në Suedi. Tani zëri i së cilës është bërë tërheqës
jo vetëm për shqiptarët por edhe për vetë adhuruesit dhe njohësit e
muzikës në Suedi.”(Astrit Gashi, Zëri Yt – Stockholm Suedi)

Në një intervistë me Besa Krasniqi, këngëtarja më tregon se muzikën e ka me shumë pasion, dhe i dedikohet zhandrit të muzikës së lehtë dhe pop, duke prekur tema të ndryshme shoqërore dhe çështje që i përkasin të rinjve të moshës së saj. Gjithashtu, Besa krenohet me prejardhjen e saj kosovare duke manifestuar në festa nacionale si dita e flamurit kombëtar, përvjetorin e Adem Jasharit, këngë për Shqipërinë, UÇK-në, etj. Veprimtaria e saj është dëshmi e kulturës shqipëtare dhe një shembull që tregon se talentet shqipëtare ecin përpara në diasporë, pavarësisht nga mosha apo vendi ku imigrojnë. Fakti që Besa Krasniqi këndon në tre gjuhë – shqip, anglisht dhe suedisht vlerëson jo vetëm aftësinë dhe zgjuarsinë e këngëtares së re, por thekson dashurinë e shqipëtareve për kulturën, artin dhe zhvillim të shoqërisë.

Viti 2008 është krysor për Besa Krasniqin, e cila po përgatitet për albumin e saj të tretë, në gjuhën angleze. Dy këngët single në anglisht ”Hej Dj” [Kompozitor: Fredrik Jonsson] dhe ”Yes I’m Sure”/ ”Po, Jam e Sigurtë” [Kompozitor: Tomas Karlson] kanë arritur sukses të menjëhershëm dhe janë në shitje në tregun evropian. Hite të tjera përfshijnë “Teen Sensation” në bashkëpunim me kompozitorin Alfred Kaqinari dhe “Rritem,” teksi i të fundit pregatitur nga Demir Gjergji.

Albumin e parë në shqip me titull ”Hëna e Di Lojën” Besa Krasniqi e përfundon në moshën 10 vjeçare. Ky album është edituar nga shtëpia botuese diskografike ”Labia,” e cila është njohur në Kosovë. Dy vite më pas ajo nxjerr albumin e dytë në shqip me titull ”Fluturat në Erë,” inçizuar në studion ”Falks.” Pavarësisht nga niveli i suksesit në një moshë shumë të re, Besa Krasniqi shpreh në intervistë me Diaspora Live se ajo dëshiron të jetë e mirë për njerëzit dhe i jep rëndësi mirësjelljes, edukatës dhe pasurimit shpirtëror.

Në festivalin e njohur midis talenteve rinore zhvilluar në 2006 në Kalskrona, Suedi, Besa Krasniqi ishte e vetmja e huaj midis pjesëmarrësve të tjerë. Në këtë konkurs që zgjat për katër javë eliminohen kengëtarët sipas talentit, dhe Besa Krasniqi zgjidhet si fituese e festivalit. Gjithashtu, për dy vite rrjesht (2006, 2007) Besa Krasniqi ka fituar vendin e tretë në festivalin “Polifest,” zhvilluar në Prishtinë, Kosovë. Gjithashtu në Mars 2007 ka fituar vendin e parë në festivalin qe organizon Linman&kompani në Jönköping, Suedi. Ka marrë pjesë dhe fituar nëfestivalin e Linköping në Shtator, festivalin Spotligmtne Tosås (2005) dhe festivalin e Spotligmt (2006) që u mbajt në Kalskrona. Në verën e vitit 2008 Besa Krasniqi planifikon të marrë pjesë në programin muzikor televiziv te quajtur “Alltsång.”

Intervista me Besa Krasniqi

Një vajzë e thjeshtë, pa komplekse, plot me respekt dhe dashamirësi për njerëzit, në veçanti përkrah ato që kanë nevojë për ndihmë. Besa Krasniqi, një sensacion që ka tërhequr Kosovën dhe Suedinë si për fuqinë e zërit të saj, por edhe për pamjen shumë tërheqëse, karakteristike e feminitetit shqipëtar. Vetëm 15 vjeçare dhe diskografia e saj përfshin dy albume, arritje e rradhë që artistë të tjerë ndoshta në këtë moshë kanë nisur ëndërrimet për këtë fushë.

1. Si e përshkruani muzikën tuaj?

Unë shkruaj vetë tekstin e këngëve. Këndoj dhe ekzekutoj në piano edhe në kitarë. Ndërsa në skenë ndjehem shumë e lirë, dhe nga kjo përfitoj. Mendoj se është mirë që çdo muzikant në skenë të jetë i lirë.

2. Besa, në këtë moshë kaq të re keni arritur të pregatisni mbi 21 kënge. Bravo! Ku e gjeni frymëzimin si artiste?

Më frymëzon talenti më shumë. Talenti im është dalluar me angazhimet e mija muzikore qe në fëmijëri, si dhe e kam trashigim muzikën në familje.
3. Për cilat tema këndoni në përgjithësi?

Mund të them që këndoj për tema të ndryshme, sepse nuk dua të kufizohem vetëm në një temë. Gjithashtu kam kënduar në gjuhën shqipe, suedeze dhe anglisht. Një nga kënget e mija në gjuhën suedeze e titulluar ”Dumni”/”Më doni” i përkushtohet njerëzve me shumë probleme; dhe qëllimi i këngës është që pavarësisht nga hallet, si varfëria, si problemet shoqërore, kështu si më ka fal Zoti më doni apo më pranoni. Kjo këngë është pëlqyr shumë nga publiku suedez.

4. Momentalisht, me ç’farë projektesh po merreni?

Tani jam duke punuar me disa këngë. Kam bërë edhe 3 këngë të mira, që pres t’i inçizoj së shpejti në një studio profesionale sa të më jepet mundësia e parë. Dhe do t’i vendos në një album pasi që edhe 4 këngë tjera i kam të punuara mendoj ta bëjë një album në gjuhën angleze. Jam duke punuar edhe një këngë me kompozitorin Alfred Kaqinari.

5. Kush merret me aktivitet dhe menaxhimin e biznesit?

Momentalisht nuk kam menagjer. Babai im më ndihmon duke më dërguar në koncerte dhe festivale të ndryshme. Kam patur disa oferta por nuk kam pranuar. Producenta kam patur Maxe Akselsson, Fredrik Jansson, Thumas Karlsson Alfred Kaqinari, Mikael Lägemo dhe Dj Valle (Valdrin Krasniqi).

6. A e imagjinoni dot veten si artiste 5-10 vjet më pas? Si e pëfytyroni të ardhmen?

Kjo është përgjigjë e vështirë për mua sepse ende kam 15 vite dhe nuk guxoj të premtoj se ç’farë do sjelli e ardhmja. Unë them më mirë të punoj se sa të premtoj; por më duhet të shtoj se çdo njeri që fillon karrjeren tek sporti apo tek muzika ka dëshirë të arrijë kulmin edhe unë kam dëshirë të arrij diku në këtë fushë, atë të muzikës.

7. Muzikën e cilit këngëtari preferoni të ndëgjoni?

Ka disa artistë me rënomë nderkombëtare që këndojnë mirë dhe më pëlqejnë shumë si Pavarotin e ndjerë, Alicia Keys, Shakira etj. Por ka edhe artistë të trojeve shqiptare si Elsa Lila, Anjeza Shahini, Mirjam Cani, Fredrik Ndoci etj.

8. Si e kaloni kohën e lirë?

Më pëlqen noti, të pikturoj dhe të fotografoj.

9. Përveç fansave dhe admiruseve tuaj, keni dhe shumë inspirues që i frymëzon me muzikën dhe talentin tuaj. Cili është mesazhi juaj për ta?

Këngëtarëve po ju them të këndojnë sa ma shumë live dhe të hyjnë nëpër gara ku këndohet live dhe të konkurojnë pa frikë. Unë ashtu e kam bërë dhe disa festivale i kamë fituar në Suedi, duke u ballafaquar me mikrofonin natyral dhe jo artificial. Ndërsa fansave: ahhh sa shumë i dua, i përqafoj ngrohësisht me nostalgji, shumë shumë ju dëshiroj gjitha të mirat në jetë të gjithë shqipëtarëve kudo ku janë. Nga zemra i përshëndes!

Faleminderit Besa dhe ju dëshirojmë gjithë të mirat dhe suksese! /Prishtina press/

Shpërndaje


Artikuj nga kategoria e njejtë

Postuar nga on Dec 21st, 2009 and filed under Suedi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response by filling following comment form or trackback to this entry from your site

Posto një koment: