Të gjithë në Kopenhagë

Samiti i OKB-së për ndryshime klimatike, i cili kulminacionin do ta arrijë të premten, më 120 udhëheqës botëror të tubuar në Kopenhagë, është cilësuar si një prej takimeve më të rëndësishme në botë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Foto: AP

Foto: AP

Udhëheqësit botërorë filluan të zbarkojnë në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagë, për të marrë pjesë në Konferencën e OKB-së për ndryshime klimatike, me synimin që t’i japin një nxitje të re negociatave, pas vërejtjeve se Konferenca po kërcënon që të dështojë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, kryeministri i Britanisë, Gordon Brown dhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula Da Silva, pritej të zbarkonin në Kopenhagë, ku zyrtarët dhe ministrat për klimë po e kanë vështirë që të arrijnë përparim, gjatë takimeve maratonike, të cilat po zhvillohen që tetë ditë.

“Apeloj te gjithë udhëheqësit botëror që të dyfishojnë përpjekjet, për të gjetur hapësirë për kompromis, për të bërë përpjekjet përfundimtare në këtë Konferencë të rëndësishme. Koha po ikën. Nuk ka më kohë për pozicionim dhe fajësime”, tha Ban në New York, para se të nisej për në Kopenhagë.

“Nëse gjërat mbesin që të zgjidhën nga udhëheqësit në momentin e fundit, atëherë ne rrezikojmë që të arrijmë një marrëveshje të dobët, apo që mos të arrijmë fare marrëveshje. Dhe do të ishte ky një dështim me pasoja potencialisht katastrofale”, shtoi ai.

Samiti, i cili kulminacionin do ta arrijë të premten, më 120 udhëheqës botëror të tubuar në Kopenhagë, është cilësuar si një prej takimeve më të rëndësishme në botë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Qëllimi i Konferencës është që të vendosen kornizat e marrëveshjes së premtimeve të shteteve, për të reduktuar emetimin e gazrave në atmosferë dhe për të krijuar mekanizmat, për t’i ofruar me miliarda euro ndihmë shteteve të varfra, për të mbështetur kështu përpjekjet e tyre për të luftuar ndryshimet klimatike.

Shkencëtarët kanë theksuar se pa aksion dramatik, për të reduktuar emetimin e gazrave, brenda disa dekadave planeti do të ngrohet aq shumë, sa që ngrohja do të provokojë thatësirë, stuhi dhe ngritje të nivelit të deteve.

Gjigantët ekonomik që po dalin në sipërfaqe, si Kina dhe India, kanë treguar vullnet që të premtojnë masa vullnetare për të reduktuar emetimin e gazrave, por këto shtete po përballen me trysni që të jenë më ambicioze dhe që të jenë subjekt i monitorimit ndërkombëtarë.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, pranoi se nga Perëndimi pritet që të marrë përsipër kryesimin, por theksoi se të gjitha shtetet duhet të japin kontributin e tyre.

“Kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët. Të gjitha ekonomitë e mëdha, të zhvilluara dhe në zhvillim e sipër, duhet të ndërmarrin aksion transparent për të reduktuar emetimin e gazrave”, shkroi Clinton në gazetën International Herald Tribune.

“Fakt është se pothuajse i gjithi shtimi i emetimit të gazrave gjatë dy dekadave të ardhshme do të vijë nga bota në zhvillim. Pa pjesëmarrjen dhe përkushtimin e tyre, zgjidhja është e pamundshme”, shtoi ajo.

Delegatët kanë theksuar se negociatat prapa dyerve të mbyllura janë karakterizuar nga shkëmbimet e ashpra mes amerikanëve dhe kinezëve, me Pekinin që ka akuzuar Washingtonin se po “luan me truqe”.

Shtetet në zhvillim janë ankuar se ato po anashkalohen, se nuk janë përfshirë në negociatat kryesore nga nikoqirët danezë.

“Po përballemi me një proces, në të cilin ne nuk po pyetemi”, theksoi Bernadita Castro Muller, koordinatore e grupit G77 të shteteve të zhvilluara, e cila ndër të tjera u ankua se procesi është tërësisht jodemokratik dhe jo-transparent.

Ministri për Ambient i Suedisë, Andreas Carlgren, vendi i së cilit është kryesues i radhës i BE-së, theksoi se të gjithë janë të vetëdijshëm se ora po ecën.

“Po luftojmë kundër kohës. Bota ka pritur më shumë se sa duhet”, theksoi Carlgren.
Me mijëra aktivistë për mbrojtjen e ambientit kanë vërshuar Kopenhagën, me ç’rast kanë organizuar disa demonstrata masive.

Policia daneze të hënën në mbrëmje arrestoi 210 demonstrues, të cilët kishin vendosur barrikada, të cilat më pas i kanë ndezur. Policia theksoi se gjatë përpjekjeve për të shuar zjarret, ajo është sulmuar nga demonstruesit me koktej Molotovi./Express/.

Shpërndaje


Artikuj nga kategoria e njejtë

Postuar nga Bashkimi on Dec 15th, 2009 and filed under Danimark. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response by filling following comment form or trackback to this entry from your site

Posto një koment: