Edi Muka për ekspozitën e Xhafës në Göteborg

Artisti shqiptar Sislej Xhafa i lindur në Kosovë por që tani jeton dhe vepron në New York do të paraqitet me krijimet e tij artistike dhe një ekspozitë të posaçme më 6 shkurt në arenën e arteve “Röda Sten” në Göteborg.

Edi Muka

Edi Muka

Ekspozita në “Röda Sten” në Göteborg realizohet në bashkëpunim me Magazzino d´Arte Moderna nga Roma e Italisë. Ideator dhe realizator i këtij projekti është Edi Muka, i cili nga nëntori i vitit të kaluar punon si përgjegjës për programin e ekspozitave në arenën e arteve “Röda Sten”.

Ekspozita mban titullin “2 705 puthje” dhe paraqet serinë e parë të ekspozitave me një produksion unik që “Röda Sten” ofron për publikun e vet.

Sislej Xhafa ka zhvilluar një veprimtari të gjerë ndërkombëtare duke marrë pjesë në bienalet e mëdha, ndër të tjera edhe në Venedik.

Krijimtaria e tij artistike bazohet në fërkimet e përhershme ndërmjet kulturave, stileve dhe gjuhëve. Ai përdorë fotografinë, videon, objekte dhe performancën në instalacionet e tij komplekse dhe shpeshherë gjiganteske.

Pse pikrisht me Sislej Xhafën?

Edi Muka: Kjo për një mori arsyesh, një ndër të cilat është edhe ajo që unë jam shqiptar dhe e dyta është kënaqësi e madhe të punosh me një artist si Sisleji, i cili qëllon edhe ai që të jetë shqiptar, nga Kosova, por është shqiptar. Nga ana tjetër, ajo që më intereson mua shumë, është natyra e punës së Sislejt dhe të gjitha problemet që ai ngre nëpërmjet punës së tij, probleme këto që janë thelbësore për jetën tonë sot, për shoqërinë tonë sot, për sfidat me të cilat përballet shoqëria evropiane dhe shoqëria në botë në përgjithësi.

Sislej trajton një numur problematikash që janë shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me përplasjet kulturore që krijohen ndërmjet shtresave të ndryshme shoqërore si pasojë e rritjes së valës së emigrimit, kryesisht nga vëndet në zhvillim kundrejt vëndeve të zhvilluara. Duke qenë se Sislej për një kohë të gjatë ka jetuar në Itali, të gjitha këto probleme bëhen shumë të pranishme në punën e tij dhe duke qenë se unë si kurator në punën time jam i interesuar për rolin dhe funksionin e artit si zë kritik në shoqëri mu duk vendim mjaft më vënd që ta nis, si të thuash punën time në Röda Sten dhe sezonin e ri të këtij viti pikrisht me ekspozitën e Sislej Xhafës.

Dhe si i realizon Sislej Xhafa gjithë atë problematikë dhe ato fërkime kulturore që i theksuat më lart?

Edi Muka: Kjo është edhe një nga aspektet tjera të punës shumë interesante të punës së Sislejt sepse ai është një artist i cili nuk ka një gjuhë të tij të posaçme; dmth jo domosdoshmërisht Sislej bën pikturë, ose bën video, ose bën foto. Sislej i përdorë të gjitha mediumet që mund të jenë pranë tij ose në dispozicion të tij, pikrisht për të provokuar këto lloj situatash, për të ngritur këto lloj shqetësimesh dhe për të evidentuar këto lloj problemesh.

Shpeshherë Sislej bën aksione, ndërhyrje në mjedise publike ose angazhon persona të tjerë të punojnë me të për realizimin e këtyre aksioneve. Herë të tjera ai transformon mjedise të caktuara në të cilat është i ftuar të ekspozojë, ku jo domosdoshmërisht dhe jo gjithëmonë këto janë galeri arti por nganjëherë janë edhe institucione publike ose private në të cilat ai ftohet dhe ku ai realizon këto lloj transformimesh pikrisht për të shprehur këto problematika të mprehta për të cilat folëm. Në herë të tjera akoma, ai realizon instalacione gjigante, skulpturore, që mund të jenë punë që vendosën në mjedise të brendshme ose edhe të jashtme. Ky do të jetë një nga rastet ku ne po realizojmë një punë të re të Sislej Xhafës, e cila po prodhohet nga Röda Sten dhe për Röda Sten.

Ekspozita e tashme e Sislej Xhafës mban një titull interesant, me shumë shifra: ” 2 705 puthje”. Na thuani diçka për simbolikën e e këtij titullimi?

Edi Muka: Po siç e shpjegova më lart Sislej ka jetuat një kohë të gjatë vitesh në Itali dhe gjatë asaj periudhe ai është përballur shumë shpesh me një valë në rritje të ksenofobisë në shoqërinë italiane, me mospranimin e të ardhurve të tjerë, me paragjykimet dhe stereotipet e ndërtuara përkundrejt shqiptarve dhe të gjitha kombësive tjera që kanë ardhur dhe janë të pranishëm në shtresëzimet e shoqërisë italiane.

Ky titull është marrë ose i referohet, lë të themi një kënge shumë të njohur italiane nga një figurë e njohur e botës së argëtimit italian, këngëtarit dhe aktorit Adrian Celentano, i cili në vitet 1950 u bë shumë i famshëm qysh në fillim të karrierës së tij që po e niste atëherë, pikrisht me një këngë që quhej  “24 000 puthje”. Por, Sislej tashmë ka një referencë shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për ekspozitën që do ta prezentojmë tek Röda Sten.

Puna kryesore që po zhvillojmë për këtë ekspozitë është një bust gjigant i kryeministrit italian Silvio Berlusconi; është një ndërhyrje dhe koment i drejtpërdrejtë i Sislejt ndaj figurës së personit i cili po mishëron gjithmonë e më shumë formë diktatoriale dhe autoritare të mënyrës së qeverisjes së një kombi. Dhe ajo çka bën Sislej me titullin e ekspozitës, është se ai përshtatë titullin e Adriano Celentanos ” 24 000 puthje”,  dhe e zëvendëson me “2 705 puthje”, që në të vërtetë paraqet numrin ekzakt të ditëve që Berlusconi ka qenë në pushtet që nga dita kur erdhi në pushtet deri në ditën e hapjes së ekspozitës më datën 6 shkurt 2010.

Ti personalisht ke disa përvoja bashkëpunimi me Suedinë, ndërkaq nga nëntori i vitit të kaluar keni kaluar në Göteborg ku punoni si përgjegjës për ekspozita në arenën “Röda Sten”. Si ka qenë ky bashkëpunim për ty?

Edi Muka:  Natyrisht që mundësitë ishin të bukura për të realizuar aspekte të ndryshme dhe të caktuara të punës time si kurator. Ajo që gjithëmonë më ka pëlqyer e më ka tërhequr në fushën e mundësive të ofruara në Suedi është fakti që gjithëmonë kam mundur të punoj në nivel ndërkombëtar, dmth për realizimin e aktiviteteve jo thjeshtë me artist suedez ose me artistë shqiptarë por realizimin e aktiviteteve të një përmase ndërkombëtare. Më i madhi ndër këto aktivitete ka qenë edicioni i katërt i bienales së Göteborg-ut që poashtu ishte organizuar nga Röda Sten, që është një ambient i favorshëm për të zhvilluar debatin artistik, për të hapur çështje dhe për ti prezentuar ato ndaj kritikës, për të ngritur diskutime shoqërore gjë që për mua është shumë e vlefshme për faktin që interesat e mia përputhen me interesat që ka Röda Sten.

Në këtë frymë prezantohet edhe ekspozita e Sislejt e cila do të ketë në qendër të saj diskutimin jo thjeshtë të figurës së Silvo Berlusconit, por të sistemit që e polli atë, sistemit kapitalist, nëpërmjet të cilit ne po kalojmë gjatë gjithë kësaj kohe dhe formave të ndryshme autoritare të cilat po shfaqën gjithnjë e më shumë në skenën evropiane.

Vendosja në Göteborg mos do të thotë se përfundimisht do të mbeteni në Suedi Edi?

Edi Muka: Që prej vitit 2006 jetoj mes Suedisë dhe Tiranës. Kohën time e kam ndarë gjatë kësaj kohe mes dy vendeve, në asnjë moment nuk dua dhe nuk do ta braktis Tiranën. Sapo jam kthyer nga Tirana ku realizuam edicionin e katërt të bienalës së Tiranës e që dua ta theksoj se ishte edicioni më u suksesshëm i saj i organizuar në Tiranë. Pra dëshira ime është që të mbetet kjo situatë ku mund të jem i pranishëm dhe të mund të punoj mes Suedisë dhe Tiranës. Sigurisht që pozicioni im në Göteborg do të kërkojë tani më shumë angazhim nga ana ime por unë nuk do ta lë anash organizimin e aktiviteteve edhe në Tiranë por edhe në vende tjera ku do të jipet mundësia ose do të ftohem për të kuruar ekspozita ose për të punuar me artistë, thot Edi Muka, kurator artistik dhe përgjgegjës i programit të ekspozitave në arenën e arteve “Röda Sten” në Göteborg./Shuquri Sejdijaj/.

Shpërndaje


Artikuj nga kategoria e njejtë

Postuar nga on Jan 31st, 2010 and filed under Suedi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response by filling following comment form or trackback to this entry from your site

Posto një koment: