Artisti shqiptar Sislej Xhafa i lindur në Kosovë por që tani jeton dhe vepron në New York do të paraqitet me krijimet e tij artistike dhe një ekspozitë të posaçme në fillim të muajit shkurt në Göteborg.
Ekspozita mban titullin “2 705 puthje” dhe paraqet serinë e parë të ekspozitave me një produksion unik që Röda Sten ofron për publikun e vet.
Sislej Xhafa ka zhvilluar një veprimtari të gjerë ndërkombëtare duke marrë pjesë në bienalet e mëdha, ndër të tjera edhe në Venedik.
Krijimtaria e tij artistike bazohet në fërkimet e përhershme ndërmjet kulturave, stileve dhe gjuhëve. Ai përdorë fotografinë, videon, objekte dhe performancën në instalacionet e tij komplekse dhe shpeshherë gjiganteske.
Ekspozita në Röda Sten në Göteborg realizohet në bashkëpunim me Magazzino d´Arte Moderna nga Roma e Italisë. Ideator dhe realizator i këtij projekti është Edi Muka, i cili nga nëntori i vitit të kaluar punon si përgjegjës për programin e ekspozitave në sallonin artistik Röda Sten.
Sipas Edi Mukës, e veçanta e ekspozitës ka të bëjë edhe me një befasi. Duke pasë parasysh se Sislej Xhafa ka jetuar një kohë në Itali, ai ngrit në shesh përplasjet e emigrantëve në vendin emigrues. Ndaj në sallën artistike po ngritet një skulpturë gjigante e Berlusconit gjë që si vepër do të jetë shumë e prehtë.
Ekspozita do të hapet më gjashtë shkurt ndërkaq për publikun do të jetë e hapur të shtunave nga ora 14-të.
Shuquri Sejdijaj