Lulzim Peci: Më shumë përgjegjësi se sa privilegj

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Suedi Lulzim Peci ka dorëzuar ditë më parë letrat kredenciale te Mbreti i Suedisë dhe me këtë akt është bërë ambasador fuqiplotë dhe i jashtezakonshëm.

Lulzim Peci

Ambasadori i Kosovës Lulzim Peci në një nga studjot e SR International në Stokholm

Hapja e ambasadës së Kosovës në Stokholm shënon një fazë të re të zhvillimit bilateral ndërmjet dy vendve, kurse për Lulzim Pecin, ambasador, kjo detyrë është më tepër përgjegjësi se sa privilegj.

Ftesën e redaksisë shqipe “Jehona” të SR International, që të jetë musafir në studjon tonë, ambasadori Lulzim Peci e pranoi me kënaqësi të posaçme.

– Së pari dua ti përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Suedisë në gjuhën shqipe dhe lexuesit e webit tuaj dhe dua t´u them se është kënaqësi ime e madhe që sot jam me juve sot këtu.

Atëherë, si rrodhën përpjekjet për të bërë ambasadën e Republikës së Kosovës në Stokholm?

– Secili shtet që dëshiron të ngris një ambasadë në një shtet tjetër ka si kusht të parë dhe të domosdoshëm që të ketë marrëdhënje diplomatike të ndërsjella, pra ndërmjet vendit që dërgon ambasadorin dhe vendit që pret ambasadorin. Mbretëria e Suedisë e ka njohur Kosovën dhe ka lidhë marrëdhënje diplomatike me Kosovën qysh në mars të 2008-ës dhe me at akt janë krijuar kushtet që të hapet ambasada e Kosovës në Suedi. E gjithë kjo tani ka një histori procedurale: më 10 shkurt të vitit 2009 presidenti i Kosovës mori vendim për hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë. Pas këtij vendimi, më 17 korrik 2009 është bërë nominimi i ambasadorit nga presidenti kurse pëlqimi apo agremani siç thuhet me fjalorin diplomatik, nga Mbretëria e Suedisë i mbrrinë Kosovës në fillim të shtatorit 2009 kurse më 15 shtator presidenti i Kosovës dekreton ambasadorin e Kosovës në Mbretërinë e Suedisë. Më pastaj është zgjedhur edhe ekipi politik dhe konsullor dhe për herë të parë si ekip diplomatik arritëm në Suedi më 13 dhjetor 2009. Është bërë akreditimi i personelit të ambasadës kurse më 4 shkurt 2010 ambasadori i Republikës së Kosovës dorëzoi letrat kredenciale tek Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf dhe me këtë akt Kosova ka ambasadorin e vet fuqiplotë dhe të jashtzakonshëm në Mbretërinë e Suedisë.

Si vlerëson mbështetjen e Departamentit suedez për Punë me Jasht në ngritjen e përfaqësisë diplomatike të Kosovës?

– Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë na ka ofruar pritje shumë të mirë që nga dita e parë dhe mund të them që tani kemi ndërtuar marrëdhënje të shkëlqyeshme me këtë ministri. Shfrytëzoj rastin që edhe publikisht ta falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë për bashkëpunimin që po ndërtojmë dhe besoj se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tepër në muajt dhe vitet e ardhshëm.

Ti pate fatin dhe nderin të bëhesh ambasadori i parë i Kosovës në Suedi. Si do ta përshkruaje këte fat dhe sfidë?
Lulzim Peci, ambasador i parë i Kosovës në Suedi
– Më tepër e konsideroj si përgjegjësi të jashtzakonshme. Të jeshë ambasador i parë në një vend është privilegj por sa është privilegj po aq është edhe sfidë më e madhe sepse pos punëve të natyrës diplomatike të cilat duhet ti kryej ambasadori, ne jemi në fazën e themelimit të ambasadës dhe duhet të mirremi me krijimin e tërë infrastrukturës së nevojshme fizike, komunikuese dhe administrative. E gjithë kjo kërkon angazhim të madh dhe veç tjerash edhe për këtë arsye është një përgjegjësi e jashtzakonshme dhe siç e thash është më shumë përgjegjësi se privilegj.

Më 17 shkurt bëhen dy vite të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe ky përvjetor e gjen Kosovën në një situatë kur pavarësinë e saj e kanë njohur vetëm 65 vende të botës. Si ambasador dhe si përfaqësi diplomatike si do të mund të ndikoni në rritjen e këtij numri?

– Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm do të shfrytëzon të gjitha mjetet dhe kanalet e saja në disponim për të ndërtuar marrëdhënje të mira e miqësore me të gjitha ambasadat e akredituara në Stokholm duke përfshirë këtu edhe ato të vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Tashmë kemi vënë kontakte me disa nga ambasadat e vendeve që ende nuk e kanë njohur vendin tonë dhe kështu shpresoj se ne si përfaqësi diplomatike e Kosovës në Mbretërinë e Suedisë do t´arrijmë ti përmbushim të gjitha detyrat që rrjedhin nga politika e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, e cila ka për objektiv të vetin prioritar lobimin për shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur vendin tonë.

Po sa i përketë kontaktit me komunitetin shqiptar në Suedi, si duket ai për momentin?

– Kontaktet me komunitetin kosovar në Suedi janë në fazë fillestare. Tash për tash kemi vu kontaktet e para me një numër të shoqatave të bashkatdhetarve dhe në muajt që do të vijnë këto marrëdhënje dhe kontakte do të intensifikohen.

Detyrën diplomatike po e filloni në një fazë zhvillimesh interesante për Suedinë. Në vjeshtë suedezët do të dalin në zgjedhje të përgjithshme. Si e përjetoni këtë lloj zhvillimi që përkon me mandatin tënd si ambasador?

– Zgjedhjet janë çështje e brendshme e çdo shteti ndërsa rezultati i zgjedhjeve është vullnet sovran i popullit të atij vendi. Për mua si ambasador ky moment do të jetë privilegj i veçantë dhe për mua do të jetë eksperiencë e jashtzakonshme e përcjelljes së fushatës zgjedhore në Suedi.

Atëherë, zoti ambasador, cili do të jetë interesi i qytetarve të Kosovës për këtë ambasadë dhe çfarë shërbimesh mund të afroni për ta?

– Tani për tani ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi mund të ofrojë në aspektin konsullor vetëm këshilla. Do të jetë kështu sepse shërbimi konsulor ende nuk është konsiliduar në tërsi. Mandati ynë është që tani t´afrojmë vetëm këshilla por besoj që në muajt në vijimdo të jemi në gjendje që ti afrojmë edhe shërbimet e tjera konsullore. Ndaj që tani kërkojmë nga bashkatdhetarët tanë mirëkuptim dhe i kisha rekomanduar që pos personelit të ambasadës herë pas here ta konsultojnë edhe webfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës e cila ofron informata të bollshme në lidhje me shërbimet që afrojnë ambasadat e Kosovës.

Krejtësisht për fund, si do ta përshkruanit Lulzim Pecin jasht diplomacisë?

– Nuk kisha preferuar që të flas për veten sepse mendoj që nuk është mjaft e ndershme dhe është shumë subjektive.

Megjithatë mund të tregoni për disa nga interesimet tuaja personale, fjala fjen ju pëlqen filmi,lexoni libra, je i martuar, ke fëmijë?

– Po, jam i martuar. Kemi një vajzë. Më pëlqen të lexoj shumë, sidomos rreth marrëdhënjeve ndërkombëtare, historisë dhe posaçërisht e dua matematikën.

Gjuhët e huaja që flisni?

– Nga gjuhët e huaja flas gjuhën angleze dhe atë spanjolle. Dhe me këtë rast dua të theksoj se ishte kënaqësi e jashtzakonshme e imja që ta jap intervistën time të parë si ambasador i Republikës së Kosovës pikrisht në studjot e Radio Suedisë në gjuhën shqipe, thot ambasadori Lulzim Peci.

Me profesion, Lulzim Peci është inxhinier dhe ka magjistruar në relacionet ndërkombëtare. Një kohë ka punuar si lektor universiteti në Prizren në fushën e politikës së sigurisë politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai njihet edhe si themelues i dy organizatave joqeveritare, Institutin e Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim dhe Fondacionin e Shoqërisë Civile./Shuquri Sejdijaj/.

Shpërndaje


Artikuj nga kategoria e njejtë

Postuar nga on Feb 17th, 2010 and filed under Suedi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response by filling following comment form or trackback to this entry from your site

Posto një koment:

Insert 160x600 ad code for Inner page here