Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu zhvilloi të enjten në Zagreb një takim me ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, në të cilin theks i veçantë iu kushtua proceseve aktuale në Kosovë, të cilat, siç u theksua në takim, vazhdojnë të njohin rezultatet veçmas në zbatimin e Planit të presidentit Ahtisari.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, presidenti Sejdiu theksoi ndër të tjera organizimin e zgjedhjeve të para lokale në organizim të institucioneve të vendit dhe në këtë plan edhe pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe krijimin e komunave të reja, si një hap i rëndësishëm të këtij komuniteti për të vendosur për fatin e vet.
Po kështu, presidenti Sejdiu falënderoi ministrin e Jashtëm Bild për kontributin e Qeverisë së Suedisë, që ka dhënë dhe po jep përmes projekteve në fusha të ndryshme si dhe me prezencën në kuadër të KFOR-t dhe të EULEX-it.
Në takim u bisedua edhe për mundësinë që, krahas Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, të punohet më shumë në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave edhe për qytetarët e Kosovës.
Gjatë ditës së enjte, në Zagreb, presidenti Sejdiu ka zhvilluar edhe një varg takimesh me liderë dhe zyrtarë vendesh të ndryshme, që kanë marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Kroacisë, Ivo Josipovic. /Telegrafi/