Agon Mehmeti e ka shfrytëzuar shumë mirë rastin e dhënë, duke realizuar dy gola, në fitoren e Malmos ndaj Orebros. Sulmuesi kosovar thotë se kjo fitore do t’i japë besim ekipit, ndërsa vlerëson lart bashkëpunimin me Daniel Larsson. Paraqitjen e 20 vjeçarit e ka përshëndetur edhe trajneri i Malmos, Roland Nilsson.
Agon Mehmeti ka shpërthyer të martën mbrëma, duke realizuar dy gola, në fitoren e skuadrës së tij Malmo ndaj Orebros. Sulmuesi kosovar shënoi në minutat 21 e 27, derisa golin e tretë e realizoi Molins në xhiron e dytë të kampionatit suedez.
Golin e parë kosovari e shënoi nga afërsia, pasi mori një top të mirë nga Durmaz. “Ishte e lehtë, vetëm ta zgjasja këmbën”, ka thënë numri 24 i Malmos për ueb faqen aftonbladet.se.
E gjashtë minuta më vonë, Daniel Larsson ia jep një top Mehmetit, i cili me mjeshtri e mposht portierin kundërshtar John Alvbaage.
“Ishte meritë e Daniel që ma dha një top të mirë. E pranova topin dhe e gjeta hapësirën e duhur për ta plasuar topin në rrjetë”, vijoi ai. “Është një fitore e mirë, kemi punuar shumë në aspektin ofanziv dhe kjo u shpërblye. Është një fitore e cila i jep besim ekipit”, shtoi Mehmeti i cili është bërë mjaft i dashur për tifozët e Malmos.
Për dallim nga viti i kaluar, kur luante kryesisht në minutat e fundit, 20 vjeçari thotë se sivjet gjithçka po shkon mirë për të.
“Këtë vit isha në gjendja ta konstruktoja lojën time në një mënyrë krejt tjetër. Tashmë nuk kam probleme me ijën dhe gjërat po shkojnë mirë. Vitin e kaluar pata luajtur vetëm në dy ndeshje para-sezonale, ku pata paraqitje të mira. Këtë vit luajta në të gjitha. Bashkëpunimet me Daniel Larsson janë duke u përmirësuar. Kemi punuar bashkë në detaje”, u shpreh futbollisti kosovar.
Puna e sulmuesit Mehmeti po vërehet. Ai tash ka besim të madh në vetvete. “Ishte e vështirë vitin e kaluar, kur nuk isha në formacion dhe rastet nuk vinin. Por, më pas pata problem edhe me ijë. Mendoj se e kam merituar rastin tim tash. Është mirë kur luan mirë e gjithë skuadra, e vumë në vështirësi Orebron”, vazhdoi Mehmeti.
Faza ofanzive e Malmos ka funksionuar shumë mirë. Orebro ishte e rrezikuar në çdo moment. Sulmet e njëpasnjëshme të vendësve u shpërblyen me golin e tretë në minutën e 69-të, që e shënoi Guillermo Molins.
”Agoni dhe Daniel e kanë mjaft mirë punën e tyre. Ata vrapojnë shumë dhe kjo më pëlqen tepër. Tash ka filluar edhe bashkëpunimi i tyre, që bëri diferencë të madhe në krahasim me ndeshjen kundër Gais”, ka thënë trajneri i Malmos, Roland Nilsson.