Dola në Kurbet për një Kalë

E kishim lënë të takoheshim në fshatin “e tij” në Selmatten me kurbetçarin e vjetër, me Bajram Aliun nga fshati Komogllavë i Ferizajt: Jetoj në këtë shtëpi tipike zvicerane tash sa vjet sepse kam nevojë për këtë ajër mali, me tha posa u përshëndetëm, sepse shëndeti im siç po e shihni është mjaft i rrënuar… dhe mendohet, sikur po kërkonte të gjente një file lëmshi se nga t’ia fillonte rrëfimit për jetën e tij të rëndë në kurbet.

Isha vetëm 14 vjeçar, kur dola nga shtëpia që të punoja. Atëbotë po asfaltohej rruga Prishtinë- Ferizaj. Shkova në punishte dhe i pyeta punëtoret se kush ishte shefi. Me treguan dhe pa ngurruar fare ju afrova. Sa i vogël mu duk vetja pranë tij. Ishte një burrë i madh e shpatull gjerë, por ja qe nuk po me kuptonte asnjë gjë se çfarë po i thosha. Ai ftoj një nga punëtoret aty afër dhe njeriu me pyeti se çfarë po doja aty. Dua të punoj i thash shkurt e shqip. Ai tjetri filloj të qesh dhe më tha se nuk po ia mbushja syrin. O ti, i thash, gjithë ditën e lume un lavroj tokën me babain tim e ti po me qeshesh kështu. Me qeshi prapë në fytyrë por pa të keq dhe me tha: Nëse me tregon arsyen pse do të punosh, fillo që tani. Po more  i thash: dua t’ia blej babës tim një kali, se arat i lavrojmë me buallica, lodhemi shumë e punë bëjmë pak, se janë shumë të ngadalshme të shkretat. Dhe kështu fillova.

TRUPI I PUNËDHENËSIT TIM U NDA NË DY PJESË
Sa i bëra parat e mjaftueshme bleva kalin dhe e çova në shtëpi, po megjithatë më nuk doja të rrija në shtëpi. Atëherë paraja ishte aq e mangët e fukarallëku i paskajshëm. Punësimi im ishte si dhuratë nga Zoti.
Punëdhënësi im ishte me origjine rumune, dhe me që ai duhet të kthehej ne Vojvodinë më mori edhe mua me vete. Me donte dhe me trajtonte shumë mirë. Punoja dhe jetoja në shtëpinë e tij tok me fëmijët e tij, derisa një ditë në një aksident, trupi i tij u nda ne dy pjesë nga një goditje motori, aty mu para syve të mi. E merrni me mend çfarë bëra unë. Ika. Po ika vrap dhe nuk u ktheva më kurrë në atë vend. Sa shumë u tmerrova e u frikësova. U ktheva në Komogllavë.

GRUAJA MË KA PARË NJË OSE DY HERË NE VIT
Më than se isha bërë burrë. Me thanë se isha i fejuar dhe se do të martohesha asaj vere, e isha vetëm 17 vjeç, (qeshet me shaka e thotë): mor bacë, ne e kishim leht atëherë. S’kishim pse lodheshim fare sa i përket martesës. Këtë punë ta rregullonte baba, gjyshi e besa shpesh edhe kojshit. Ja e shef këtë plaken time, që kur u martuam, në vitin 1968 e deri në vitin 1990, me ka pare një ose dy here në vit, e tash këta te rinjtë tanë pasha bacën, le qe mezi po e gjejnë njëri-tjetrin por prapë nuk po rehatohen. S’kanë faj besa se ne s’kemi pa ditë të bardhë për vete që fëmijët tanë të jetojnë më mirë. Nejse. Punova pa pra nëpër Male të Zi e nëpër Maqedoni derisa përfundimisht, në vitin 1971 do të merrja këtë rrugë të cilën s’e imagjinova asnjëherë kaq të gjatë. Isha pikërisht në Strumicë (Maqedoni) duke punuar, kur erdhi një fqiu im me një letër në dorë dhe me tha, se që nesër do udhëtoja për Zvicër. U nisëm menjëherë për në Komogllavë. Në shtëpinë time ishte mbledhur pothuajse i gjithë fshati që të më përcillnin.

700 VETA NGA KOSOVA
Ishim mbi 700 veta kur mbërrimë në Buchs të Zvicrës. Radha ishte e pafund. Na thanë se do te na kontrollonin mjekët dhe rrugën e vazhdojnë vetëm ata që ishin plotësisht të shëndoshë. Na kontrollonin sikur ishim regrut ushtrie. Ndodhi që disa veta i kthyen, kush e di nga çfarë lëngonin. Mua me gëzonte fakti që ishim gjithë ata shqiptarë bashkë dhe thash me vete: shpejtë do të më kaloj koha. Ne xhaketa kishim secili nga një emblemë dhe në të ishte një shenje. Një derr, një sharre, një lope a shati, gjithfarë me. Unë për vete kisha një lule. Po kush e merrte vesh pse i kishim këto. Na i morën pasaportat, na dhanë nga një cope letër dhe na udhëzuan të hipnin ne tren. Po çfarë treni more thash, unë nuk di nga do t’ia mbaj, do humbi diku. Slloveni që na përcolli që nga Kosova, na tha që këto letra t’i mbajmë në dorë e konduktorët e trenave do të na udhëzonin.

33 VJET NËPËR ARA DHE KOPSHTE TË DORFIT
Zbrita në Winterthur. Prisja të me ofrohej ndonjë zotëri e për çudinë time me erdhi një burrë me një pale çizme gome të përlloçura dhe me foli diçka. Po kush e mori vesh se. Atëherë njeriu me rroku për krahu e unë si i mpirë po ecja pranë tij dhe iu afruam një kamionete të vjetër. Mbërrimë në shtëpinë e tij, me treguan dhomën time e shpejtë e kuptova edhe punën time me të cilën do të merresha plote 33 vjet. 33 vjet kalova nëpër ara dhe kopshte të fshatit Dorf. Fillova punën e bashkë me këtë filloi edhe vuajtja, dhembja e malli. As nuk dija ku jam as nuk takoja njeri. Në mëngjes shefi me çonte aty ku do të punoja e në mbrëmje vinte më merrte. 6 muaj të gjatë, kurrë pa pra, kurrë pa parë njeri tjetër, kurrë pa ndërruar as një fjalë goje me njeri. Pas 6 muajsh shefi im po me thoshte diçka, po kush e merrte vesh. Atëherë gruas së tij i ra diçka ndërmend. U morën vesh, dhe po niseshim diku. Shkuam ne një fshat tjetër, tek je zviceran tjetër, folën mes vete diçka dhe pas pak erdhi një njeri dhe mu drejtua „Zdravo!”. O Zot hapa sytë e nuk besoja. “Zdravo!”, i thash dhe kjo ishte fjala e parë që nxora nga goja pas 6 muajsh. Do ikësh në pushim, me tha Kroati. Jo more çfarë, nuk di të shkoj i thash. Megjithatë, shefi im më përcolli në tren, ma nxori biletën dhe me shpjeguan se nuk do të lëvizja nga ai vagon deri në Beograd.

12 MUAJ PA ASNJË LAJM NGA SHTËPIA
Sa mbyll e çel sytë mbaruan ditët e pushimit, u mblodhën katundarët e mi, u mblodhën miq e familjarë e me përcollën përsëri. Qanin thua se po me përcillnin për rrugën e fundit. Nëna ime dëneste dhe më lutej që mos te shkoja fare në kurbet. Atëbotë kurbeti ishte fundi i botës. Shkova përsëri dhe fillova punën, ditët ishin të pafund, muaji ishte sa një shekull si për inat. Atë vite plasi njëfarë murtaje në Kosovë (Variola Vera,vër., e Red.) nuk më kujtohet tamam cili vite ishte por me kujtohet si sot se mërzi më të madhe nuk kam pasur në jetën time. Një vjet i tërë e as letër as telefon, as haber nga shtëpia. Nuk dija gjë nëse kjo mortajë kishte prek edhe në familjen time.

SEZONAT NUK MBARONIN KURRË
Vite me radhe kalova duke i thënë vetes: edhe këtë sezone e mbaroi kjo punë. Por njeriu nuk ngopet kurrë, hajt ta blejë edhe këtë tokë, hajt edhe këtë arë, e vitet kalonin. Fëmijët rriteshin e kështu djalit tim i erdhe koha për ushtri. U detyrova ta merrja pranë vetes sepse ishte koha kur shumë ushtarë tanë ktheheshin ne arkivole. E theva betimin. Isha përbetuar se kurrë  femija i im nuk do ta ndiqte rrugën time të kurbetit. Mirëpo në Kosovë situata sa vinte e bëhej me e vështirë, papunësia rritej. Pastaj mora me vete nipin, pastaj mikun, shokun e kështu me radhë dhe u bëmë 18 vetë vetëm në firmën ku punoja unë. U bë pak më leht për mua – nuk isha më vetëm. A e di se para se të niseshim për shtëpi, me pushime, nga tri ditë nuk shtinin bukë në goje nga gëzimi.

A DO TË KETË KTHIM MBRAPA?!
E shef sa më janë bërë nipat e mbesat!? Tash, asnjëri, nuk dëshiron të kthehet në Kosovë. Po unë çfarë do të bëjë atje vet atje po të kthehem, fundja, po a pak jetova vetëm a? Megjithatë shkoj shpesh atje në Komogllavë-Kosovën time. Duke bërë shaka thotë: për dallim nga atëherë tashti shkon e vjen e nuk të përcjellin më. As nuk gëzohet kush pse shkove as nuk mërzitet kush pse ike. Nuk ka kurbet më. Derisa për dy-tri orë je në Kosovë nga këtu, kurbet i thonë kësaj? Dashtë Zoti e Kosova hape vende pune për rininë tonë atje e nuk e marrin edhe ata këtë rrugë siç e mora unë e qindra mijëra të tjerë si unë dhe si familja ime…. U përshëndeta nga baca Bajram. Ai më uroi fat dhe kthim të shpejtë në Kosovë…

Fatmire Kajtazi

Shpërndaje


Artikuj nga kategoria e njejtë

Postuar nga on Mar 30th, 2010 and filed under Shqiptarët në Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response by filling following comment form or trackback to this entry from your site

1 Response for “Dola në Kurbet për një Kalë”

  1. Drin says:

    Tem interesante :)

Posto një koment: