Ivica Mateshiqi dhe Bernard Kotllari për opinionin shqiptar të Kosovës dhe më gjerë nuk janë emra të panjohur, pasi që për ta ka pasur shkrime në shtypin e përditshëm e javor të Kosovës dhe jashtë saj.
Para dy viteve, këta dy arbëreshë të njohur të jetës kulturore artistike të Zarës, i fituan dy shpërblime në festivalin e 19 të filmit ushtarak- dokumentar “Populli dhe ushtria”, të mbajtur më16. 11.2008 në Braccano (Itali). Filmi i bashkautorëve arbëreshë “Zadar-Maslenica 1993”, që e kishte përfaqësuar Kroacinë, nderohet me shpërblimin e parë plakatën “Populli dhe ushtritë” në kategorinë historike, si dhe shpërblim për tekstin më poetik. Suksesi i tyre u arrit në një konkurrencë të fortë, pasi që në këtë festival kishin konkurruar më se 50 shtete me nga disa filma. Filmi i tyre i ishte kushtuar betejës së famshme të Maslenicës, (1993). Skenarin e këtij filmi e ka shkruar pjesëmarrësi i kësaj beteje, arbëreshi Ivica Mateshiq kolonel i armatës kroate.
Ivica Mateshiqi & Bernard Kotlari
Po kush mund të shkruante më mirë për luftën se sa ai që e kishte përjetuar vetë. Lufta jo vetëm që e nxori një ushtarak të madh, por edhe krijoi një shkrimtar të shquar. Matesheiq ishte shprehur: “më duhet t’u them, po të mos ishte lufta nuk do të ishte Ivica Mateshiq si shkrimtar, thjesht, si vullnetar isha i pakënaqur me mënyrën se si të tjerët informonin për luftën nga prapavija e sigurt, duke mos e përjetuar jetën reale të atdhetarëve kroatë nga vija e parë mbrojtëse”. Ky nuk ishte skenari i parë i mr. Ivica Mateshiqit, ai kishte shkrua skenarin sipas veprës së tij,” Kryqi i vëllezërve të mi”, i cili ishte realizuar në film më 2006 nga regjisori i njohur kroat Darko Dovranoviq dhe në festivalin e Bracanos shpërblehet me plaketën “Popujt dhe ushtritë” në kategorinë historike. Rasti tjetër është më 2007, kur sëbashku me regjisorin e RAI II, Milenko Dujelen, e kishin fituar po këtë shpërblim po në këtë festival me filmin “Bombardimi i Zarës 1991”. Ndërsa B. Kotllar kishte xhiruar shumë filma dokumentarë, në CD dhe DVD, por filmi dokumentar “Zara” ku ishte paraqitur edhe vizita e Papa Gjon Palit II në Zarë, më: 9.06.2003 i solli një sukses të veçantë. Tre muaj para vdekjes së Papës Bernardit kishte arritur falënderimi nga Vatikani, për këtë film, me ç’rast Bernardi ishte shprehur: “Vetëm tani jam i vetëdijshëm çfarë nderimi kam fituar nga Papa Pali II ,kur para tremuajsh kam pranuar falënderimin për CD multimediale “ Zara “ si edhe njoftimin që ajo CD do të ruhet në arkivin e Vatikanit“ Për nder të katërvjetorit të kësaj vizite, sëbashku me regjisorin, z. Milenko Dujelen e realizojnë një film dokumentar në DVD kushtuar vizitës së Papës në Zarë, i cili iu shpërnda falas qytetarëve të Zarës. Edhe bashkëpunimi : Bernard –Ivica, i këtyre dy personaliteteve të shquara kulturore arbëreshe ishte i kahershëm. Këta kishin bashkëpunuar në realizimin e shumë filmave dokumentarë në CD dhe DVD. Realizimi i këtij projekti të përbashkët filmik, ”Zadar-Maslenica 1993”, me të cilin konkurrojnë në një festival ndërkombëtarë, dëshmoi pjekurinë artistike dhe vlerat e vërteta të bashkautorëve të këtij filmi.
Filmi dokumentar” Zara -Maslenica 1993”paraqet vuajtjet e mjerimin e popullit të Zarës gjatë rrethimit dyvjeçar nga forcat serbo-çetnike, të cilat synonin pushtimin e këtij qyteti. Këta paraqiten dokumente e fakte të ndryshme të vuajtjes së qytetarëve për kushte elementare ,si dhe presioni i vazhdueshëm të forcave paramilitare të Arkanit e kapiten Draganit etj ,si dhe fitoren historike të luftëtarëve kroat. Këtë betejë triumfale e udhëhoqën me sukses gjeneralët kroatë: Gotovina, Bobetko, Norac etj. Vlen të përmendet, se në këtë betejë të lavdishme kishte edhe luftëtarë arbëreshë, si: bashkautori i filmit, z. Ivica Mateshiq, brigadieri, Danijel Kotlar, Bozhidar Kalmeta, i cili aktualisht e ka mandatin e dytë të ministrit i transportit në qeverinë aktuale të Kroacisë. Ajo që ishte interesante se bashkëpunimi për realizimin e këtij projekti filmik, ndryshe nga realizimet tjera, u bë nga distanca në relacionin, Itali- Kroaci, sepse z. Ivica shërbente atashe ushtarak i ambasadës kroate në Itali, ndërsa z. Bernardi në Arbëresh (Zarë), Vetëm njohja e thellë dhe e gjithanshme,vetëm pikëpamjet e njëjta të këtyre personaliteteve të shquara kulturore të Zarës, kanë mundur që të krijojnë një vepër të tillë, duke u konsultuar e bashkëpunuar nga largësia. Ndërsa humanizmi dhe zemërgjerësia e tyre u shpreh kur shpërblimin ua dedikojnë atyre që ishin meritorë për çlirimin e Kroacisë.
Ky gjest human u prit mirë nga opinioni dhe qarqet kulturore.
Bashkëpunimi i tyre vazhdon në realizimin e projekteve të reja, sipas Bernardit: ”Tani me Ivicën jemi duke e përgatitur një ekspozitë me titull “Kurorëzimi gjatë shekujve te arbëreshët e Zarrës”. Anën grafike të 30 fotove të vjetra do ta përgatis vet, ndërsa, Ivica komentet për secilën fotografi.
Ekspozita do të jetë e hapur 15 ditë në bibliotekën e Arbneshit./Tung/
Nga Sylejman Morina