Jeta e një sportisti të famshëm në shirit celuloidi
Filmi“Being Azem”, që paraqet një rrëfim prekës për kampionin e katërmbëdhjetëfishtë botëror në thaiboks dhe përpjekjet e tij, pas rreth dy muajsh të shfaqjes në rrjetin e kinemave zvicerane, do të shfaqet pastaj edhe në Kosovë.
Ditë më parë në kinemanë “Kiwi” në Winterthur u bë prezantimi i filmit “Being Azem”, që protagonist ka Azem Maksutajn, kampionin e katërmbëdhjetëfishtë botëror në thaiboks, me banim në Winterthur të Zvicrës. Ky film dokumentar i metrazhit të gjatë, me regji të Tomislav Mestroviç dhe Nicolo Setigranna u shfaq në prani të një numri të konsiderueshëm përfaqësuesish të medieve lokale e regjionale zvicerane. Filmi, ishte një evokim mbresëlënës i ngjarjeve kulmore dhe vendimtare në të gjitha fazat e jetës dhe të punës së deritashme të Azemit. Filmi, pos për sukseset në ring, përqendrohet edhe në dhimbjen fizike e shpirtërore që i është dashur të kalojë ky kampion i shumëfishtë për të realizuar synimet e tij. Nuk është e rastit, që gjatë gjithë kohëzgjatjes së filmit, shoqërues të Azemit janë bashkëshortja e tij Njomza, vëllai Bekimi dhe bashkatdhetarë të tij adhurues
të Azemit si kampion dhe si njeri. Ndërsa sekuencat ku Azem Maksutaj paraqitet bashkë me mësuesin e tij të parë të fizkulturës në shkollën e fshatit të tij të lindjes, Pozhar të Deçanit dhe me nxënësit që sot ndjekin mësimet, në kushte jo të mira, në atë shkollë ishin mjaft prekëse dhe rrëfim në vete.
Nga Azem Maksutaj mësojmë se filmi kushtuar atij, pas rreth dy muajsh të shfaqjes në rrjetin e kinemave zvicerane do të shfaqet edhe në Kosovë. Ai është në kontakt me përgjegjësit e kinemasë “ABC” të Prishtinës për shfaqjen e filmit, ndërsa RTV 21 do të jetë televizioni i parë i Kosovës që do ta shfaqë filmin. /r.r/Tung/