Albert Bunjaku dëshiron t’i mbetet besnik Nurnbergut, me gjithë interesimin e Stuttgartit dhe Borussia Dortmund për shërbimet e tij. Sulmuesi kosovar e sheh të ardhmen e tij te Nurnberg dhe kërkon që ekipi ta mbajë nivelin e njëjtë, për të mbetur në Bundesliga 1.
Me gjithë interesimin e disa klubeve të Bundesligës, Albert Bunjaku dëshiron t’i mbetet besnik ekipit të tij Nurnberg, i cili e ngriti në kulmin e karrierës.
Për shërbimet e sulmuesit kosovar interesim kanë shfaqur Stuttgart dhe Borussia Dortmund, por 26 vjeçari e sheh të ardhmen e tij te Nurnberg, i cili po lufton për mbijetesë këtë sezon.
“Kam edhe dy vjet kontratë me Nurnberg, ku jam ngritur si futbollist. Familja ime ndihet mjaft mirë këtu. Unë vlerësoj se do ta ruajmë këtë nivel të lojës dhe do të mbesim në ligë, e pas kësaj nuk do të shkoj askund”, tha përfaqësuesi zviceran për ueb faqen gjermane focus.de.
Golashënuesi më i mirë i Nurnbergut këtë sezon, me 12 gola të shënuara, Bunjaku shihet si zëvendësues ideal i sulmuesit Cacau te Stuttgart, që planifikon të largohet. Mirëpo, edhe Borussia ka shprehur interesim për gjilanasin.
“Që Alberti ka zgjuar interesim nga Stuttgart, për këtë jemi informuar moti. Ne e dimë se cilat skuadra tjera janë të interesuara, pasi i shohim kur blejnë bileta hyrëse kur luajmë ne”, tha zyrtari i Nurnberg, Martin Bader.
Në vazhdim, Bader ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me Bunjakun dhe me këshilltarët e tij, ndërsa paralajmëroi se do të ulet dhe të bisedojë me futbollistin dhe me përfaqësuesit e tij gjatë pauzës verore.
Nurnberg e kishte blerë Bunjakun në shkurt të vitit 2009 për 250 mijë euro nga Rot-Weiss Erfurt. “Por, ai tash ka një vlerë shumë më të lartë”, ka shtuar Bader, që është mjaft i kënaqur me paraqitjet e futbollistit kosovar. Sipas mediave gjermane, vlera e kartonit të Albert Bunjakut parashihet të jetë rreth 3 milionë euro./Express/.