Më, 15 maj 2010 në Kopenhagen të Danimarkës u mbajt Festivali XV i Fëmijëve Shqiptarë të Diasporës sonë “Pranvera e Fëmijëve 2010”, i cili mbahet nën organizimin e ”Radio-Projekt 21”
Në këtë festival, me programet e tyre u prezentuan disa shoqata nga vende të ndryshme: Shoqata Shqiptare “Mërgimtari” nga Gjermania, ajo e Gruas nga Malmö, Shoqata “Alba” , Qendra Kulturore “Okarina” nga Suedia e shumë pjesëmarrës të tjerë.
Festivali filloi me paraqitjen në skenë të pjesëmarrësve të parë të festivalit – dallëndyshet e Shoqatës “Mërgimtari” nga Gjermania, që u paraqiten me qirinj në dorë, të cilët pas disa çastesh u shndërruan në lule për t’i dhuruar Havzi Sylejmanit – Xhaxhit, udhëheqësit të radios. Pastaj në skenë u paraqiten edhe shumë pjesëmarrës, ku nderuan Xhaxhin dhe Radioprojekt 21 me dhurata. Xhaxhi me lot në sy pranoi, sidomos dhuratën nga fëmijët, librin me titull: “Gjaku i dallëndyshes”, i cili brenda mbante nënshkrimet e të gjithë fëmijëve. Fëmijët u paraqitën me krenari dhe përgatitje të rrallë, që mahniti të pranishmit.
Pastaj radhën e kishte Qendra Kulturore “Okarina”, që u prezantuam me një program të përzgjedhur. Programi ynë filloi me tingujt e ëmbël të fyellit, në interpretim të Mustafë Berishës, të cilit iu bashkangjit orkestra e çiftelive dhe ritmi i tupanit nga Hamdi Arifi me një valle dhe dy këngë folklorike, që u pritën mjaft mirë nga publiku. Programi vazhdoi me prezantimin e orkestrit frymor të vajzave, të përbërë nga dy klarineta dhe dy flauta, në përcjellje të Bashkim Jasharit piano dhe Sherif Hasanit persekunist, që interpretuan disa nga perlat e muzikës sonë, me të cilat entuziazmuan publikun në sallë. Pastaj në vazhdim dy motrat u prezantuan me dy këngë tjera, që po ashtu u mirëpritën nga të pranishmit. Paraqitjen tonë e përmbyllëm me prezantimin e tri valleve popullore të luajtura, me një vullnet dhe entuziazëm të rrallë, nga grupi i vajzave të shoqatës, nën përkudesjen e Hamdi Arifit, të cilat u pritën mjaft mirë nga të pranishmit.
Festivali vazhdoi me prezantimin e fëmijëve të shoqatave të ndryshme dhe individëve. Ky festival nuk ka karakter garues.Me rëndësi është pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë dhe ruajtja e kultivimi i vlerave kulturore kombëtare. Festivali u ndihmua nga shumë bashkatdhetarë.
Festivalin e përshëndeti ambasadorja e Shqipërisë, përfaqësuesja e ambasadës së Kosovës dhe ambasadori i Maqedonisë e shumë të tjerë. Mbi 1200 pjesëmarrës u ndanë të kënaqur me shpresën e vetme se ky nuk do të jetë festivali i fundit, por që ky festival të vazhdojë kështu si është me tërë mrekullinë e tij.