Reklama e mirë hap dyert e Suedisë për kosovarët

Prishtinë, 24 dhjetor – Alban Dragusha e Liridon Leci kanë gjetur angazhim në Evropë pa kaluar fillimisht nëpër fazën e provave. Përveç cilësive që posedojnë, Dragusha e Leci janë kursyer nga provat edhe falë reklamës së mirë që kanë bërë futbollistët kosovarë në Suedi, në pesë vitet e fundit. Dragusha e Leci të mërkurën kanë arritur marrëveshje trevjeçare me njërën prej skuadrave më të forta në Suedi, Kalmarin, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pas luftës numri i futbollistëve të Kosovës që kanë kaluar në ekipet evropiane është shumë i vogël. Të gjithë kosovarët që janë transferuar në liga të tjera, përjashto ato të rajonit, këtë e kanë bërë përmes provave.
Numri i futbollistëve shqiptarë në Suedi në vitet e fundit është rritur dukshëm. Njëri prej atyre që ka bërë reklamën më të mirë dhe ka hapur rrugën për lojtarët e tjerë nga Kosova është mesfushori Labinot Harbuzi. Harbuzi aktualisht është pjesë e ekipit turk Gençlerbirligi, ndërsa famën në Suedi e ka arritur duke luajtur me Malmon.

Harbuzi: Respektin që kemi krijuar duhet ta ruajmë

“Në Suedi kanë luajtur dhe po luajnë ende shumë futbollistë të mirë nga Kosova. Suksese kanë pasur Agon Mehmeti, Emir Bajrami, Erton Fejzullahu e shumë të tjerë. Ditë më parë lexova në gazetat suedeze se Kalmari po kërkon talente në Kosovë. Mendoj se kjo është edhe meritë e sukseseve që lojtarët shqiptarë kanë pasur deri tani. Lojtarët shqiptarë janë shumë të vlerësuar në Suedi. Është dashur kohë për të fituar respektin, por për lojtarët që do të vijnë në të ardhmen do të jetë më lehtë. Natyrisht se respekti që kemi krijuar duhet të ruhet dhe kjo bëhet vetëm me lojëra të mira dhe me profesionalizëm si në lojë, ashtu edhe në stërvitje dhe në jetën e përditshme”, ka thënë Harbuzi të enjten për “Kohën Ditore”.
Harbuzi 24-vjeçar ka tri paraqitje në përfaqësuesen U-21 të Suedisë, ndërsa pret që në të ardhmen të ftohet edhe në përfaqësuesen A. Pjesë e përfaqësues A të Suedisë është mesfushori i Twentes, Emir Bajrami. Bajrami gjatë verës u transferua nga Elfsborgu te kampioni i Holandës. Transferimi i tij është i dyti më i shtrenjti nga një ekip i Suedisë. Më shtrenjtë se ai ka kushtuar vetëm Zlatan Ibrahimoviq. Më herët në Suedi ka impresionuar edhe Erton Fejzullahu që tani luan me NEC Nijmegenin në Holandë. Fejzullahu (22) për U-21 të Suedisë ka shënuar shtatë gola në shtatë paraqitje. Pjesë e U-21 të Suedisë është edhe Agon Mehmeti që ka shënuar dy gola në tetë paraqitje. Mehmeti është vlerësuar ndër më meritorët që Malmo në vitin 2010 fitoi titullin e kampionit të Suedisë. Meritë për këtë sukses pati edhe sulmuesi i talentuar, Dardan Rexhepi. Në kampionatin e vitit 2010 me sukses kanë luajtur edhe Etrit Berisha (Kalmar), Anel Rashkaj (Halmstad), Ardian Gashi (Helsingborg) e Astrit Ajdareviq (Orebro). Më pak paraqitje kishin Guri Baqaj (Halmstad), Fisnik Shala (Trelleborg) e Denis Abdullahi (Orebro).

Agjentët suedezë krahasojnë kosovarët me brazilianët

Dy reprezentuesit e Kosovës, Alban Dragusha e Liridon Leci, marrëveshjen me Kalmarin do ta zyrtarizojnë më 10 janar.
Kalmari një kohë të gjatë ka përcjellë futbollistët kosovarë që deri tani karrierë kanë bërë në Shqipëri. Dragusha ishte pjesë e Skënderbeut të Korçës, ndërsa Leci luajti për Kastriotin e Krujës. Në kampionatin e Suedisë “Allsvenskan” është transferuar edhe talenti Gëzim Istrefi që deri tani ka luajtur në kategorinë e tretë të Suedisë. Istrefi ka firmosur me skuadrën GAIS.
Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, pret që edhe lojtarë të tjerë nga Kosova të transferohen në Suedi. Bunjaki ka ndërmjetësuar në transferimin e Dragushës e Lecit.
“Futbollistët e Kosovës janë mjaft interesantë për ekipet e Suedisë. Ka gjasa që hapave të Dragushës e Lecit të shkojnë edhe lojtarë të tjerë të Kosovës”, ka thënë Bunjaki. Edhe shefi i skautëve të Kalmarit, Kjell Nyberg, ka thënë se në Kosovë ka lojtarë shumë interesantë. Lojtarët kosovarë ai i ka krahasuar me ata brazilianë, të cilët deri më tani kishin primatin në mesin e lojtarëve të huaj në Suedi./KOHA/

Shpërndaje


Artikuj nga kategoria e njejtë

Postuar nga on Dec 24th, 2010 and filed under Suedi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response by filling following comment form or trackback to this entry from your site

Posto një koment: